Zvarritjet e tenderit për asfaltimin e rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë

0
54

Raporton: Arbelina Dedushaj

Prishtinë- Për tenderin e asfaltimit të rrugës Babush, Tërn , Luboc, Koshare dhe Slivovë ka dy vite dhe ende nuk është nënshkruar ndonjë kontratë, e kjo pas ankesave të fundit të dy kompanive ankuese “Bageri” dhe “Renelual Tahiri”. Këto dy kompani, në seancën e së hënës së Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) paraqitën para panelit shqyrtues pretendimet e tyre ankimore lidhur me këtë tender.

Këto dy ankesa, në dhjetor të vitit të kaluar janë parashtruar kundër Ministrisë së Infrastrukturës (MI), e cila e kishte rekomanduar për kontratë konsorciumin “2AGroup dhe Papenburg-Ardiani Company”, e që sipas tyre oferta e këtij të fundit kishte qenë më e shtrenjtë.

Përfaqësuesi i “Renelual Tahiri”, Hysni Veseli tha në këtë proces janë të dëmtuar dhe të diskriminuar, pasi sipas tij ministria ka qenë joserioze dhe e papërgjegjshme. Arsyeja e eliminimit të kësaj kompanie kishte qenë mungesa e deklaratave nën betim në momentin e dorëzimit të ofertave.

Por, Veseli përmendi disa vendime të OSHP-së, që sipas tij janë kundërthënëse njëra me tjetrën, por për këtë deklaratë, sqarim kërkoi anëtari referues i këtij paneli, Blerim Dina.

Lidhur me këtë, Veseli tha se këtë deklaratë e bazon në praktikat e OSHP-së, pasi sipas Veselit ka raste të ngjashme kur një operatori ankues i është mundësuar plotësimi i dokumentacione, ndërsa në rastin e tij jo.

E operatori tjetër ankues, “Bageri” pati një pretendim tjetër për mënyrën se si ishte eliminuar nga ministria për tenderin në fjalë. Përfaqësuesi i saj, Raif Krasniqi tha se pasi janë njoftuar se janë eliminuar kanë dorëzuar kërkesë për rishqyrtim pranë kësaj ministrie, por sipas tij fare nuk është shqyrtuar.

“Autoritet ankues vetëm na e ka përcjellur një vendim që është marrë shumë më herët, duke mos e rishqyrtuar fare ankesën tone”, tha Krasniqi i cili këtë gjë e quajti neglizhencë dhe mosseriozitet.

Krasniqi foli edhe për mungesën e gjeodetit të konsorciumit fitues, kërkesë kjo sipas tij e paraparë në dosjen e tenderit. ”Inxhinieri Myzafer Mustafa nuk ka qenë fare në dijeni lidhur me keqpërdorimin e diplomës së tij nga Papenburg-Ardiani, ku pastaj i njëjti ka dhënë deklaratë nën betim të noterizuar se nuk ka të bëjë asgjë me ato projekte mbi të cilat kjo kompani është shpallur fituese”, u shpreh Krasniqi.

Ndryshe, përfaqësuesi i MI-së, Isa Berisha tha se ky aktivitet i prokurimit ka filluar në vitin 2016 dhe se gjatë kësaj kohe janë ndërruar pesë komisione. Sipas Berishës, çdo komision i themeluar për këtë tender këta operatorë ankues i ka shpallur të papërgjegjshëm.

E prezent në seancë ishte edhe përfaqësuesi i konsorciumit fitues, “2AGroup dhe Papenburg-Ardiani Company”, Valon Ademi, i cili u shpreh para panelit se kompanitë ankuese janë vetëm duke u munduar të humbin kohë. Sipas tij, në këtë aktivitet asnjëri nga ankuesit nuk është i përgjegjshëm.

Ademi foli edhe për pretendimet e “Renelual Tahiri”, se konsorciumi fitues ka qenë më i shtrenjtë. “Dëshiroj t’ua rikujtoj se vlera e parashikuar nga ministri për këtë tender ka qenë 2,950,000.00 euro, ndërkaq ne kemi ofertuar 1 milion më lirë”.

Në seancën e së hënës, fituesi i tenderit së bashku me përfaqësuesin e ministrisë kërkuan që të hudhen poshtë ankesat dhe të mbetet në fuqi vendimi i këtyre të fundit për shpërblim me kontratë.

Ky tender për disa herë radhazi po kalon nëpër duar të panelit shqyrtues të OSHP-së, e kjo e fundit kishte marrë edhe disa vendime lidhur me të.

Në maj të vitit të kaluar, OSHP kishte aprovuar ankesën e konsorciumit “2AGroup dhe Papenburg-Ardiani Company”, duke kthyer kështu tenderin në fjalë në rivlerësim. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se ky operator ekonomik i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret sipas njoftimit për kontratë dhe dosjes së tenderit.

Po ashtu, në këtë vendim thuhet se zyrtari i prokurimit pa dhënë asnjë arsye e ka anuluar rekomandimin e komisionit rivlerësues.

Ndërkaq, pas disa muajsh, saktësisht më 20 nëntor 2017, OSHP lëshon urdhëresë për ministrinë që ta respektoj vendimin e majit të po atij viti, ku pas themelimit të komisionit “2AGroup dhe Papenburg-Ardiani Company” shpallen fitues të tenderit dhe rekomandohen për kontratë.

Por, ankesat e kompanive të lartcekura bëri që ky tender përsëri të pezullohet deri në një vendim të ri të OSHP-së.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here