Prokurimi për shërbimet e dezinfektimit në Policinë e Kosovës anulohet pasi janë hapur ofertat

0
82

Raporton: Sara Zhubi dhe Agon Hysaj

Të martën, në seancën dëgjimore të mbajtur para panelit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) u shqyrtua ankesa e kompanisë Flomed kundër Policisë së Kosovës (PK). Lënda e prokurimit ka të bëjë me shërbimet e dezinfektimit, dezinsektimit, deratizimit dhe largimit të shpendëve dhe zvarranikëve nga objektet e PK.
Ky aktivitet është ritenderim, ku kishin ofertuar 2 kompani. Pas hapjes së ofertave, PK në bazë të rekomandimit të komisionit vlerësues bën anulimin e aktivitetit të prokurimit. Pikërisht këtu lind edhe pakënaqësia e kompanisë ankuese.
Kompania Flomed kishte kryer këtë shërbim në gjashtë vitet e kaluara (2010-2016). Sipas përfaqësuesit të saj, Flori Bruçi, edhe në këtë aktivitet prokurimi specifikacionet teknike të detyrueshme kanë qenë të njëjta si në gjashtë vitet e kaluara. Në pikën 4 të këtyre specifikave sipas Bruçit kërkohet që një nga tri metodat të përdoret për kontrollin e shpendëve dhe zvarranikëve. “Preparatet kimike që do të përdoreshin nuk do të dëmtonin florën dhe faunën e as njerëzit, ndërsa shpendët dhe zvarranikët do të largoheshin për shkak të erës së keqe”, tha Bruçi. Në fund ai e mbylli fjalën e tij ku tha që PK në mënyrë të padrejtë bën anulimin e aktivitetit të prokurimit, i cili në bazë të nenit 62.2 të Ligjit mbi Prokurimin Publik (LPP) nuk është dashur të anulohej, pasi nuk mund të anulohet pas hapjes së ofertave.
Policia e Kosovës e përfaqësuar nga Merita Zogu, tha që ky aktivitet prokurimi është anuluar duke u bazuar në disa probleme teknike që kanë dalë gjatë analizës së pikës 4 të specifikacioneve teknike. Sipas saj në fillim këto specifika ishin hartuar mirë, mirëpo me shqyrtimin e ofertave dolën disa probleme teknike që do të paraqiteshin gjatë zbatimit të kontratës, pasi nuk ishin ndarë mirë të gjitha format e shërbimeve. Ajo vazhdoi dukë thënë që repelenti si produkt kimik nuk ishte ndarë nga aparati me ultratingull dhe sistemet metalike që janë si furnizime. Gjithashtu shërbimi për repelent ishte ofruar dy herë në vit, ndërsa PK kishte kërkuar një herë, çka do të kishte shkaktuar probleme më mënyrën e pagesës.
Në pyetjen e anëtarit të panelit, Blerim Dina se a qëndron pretendimi i Flomed se të njëjtat specifika kanë qenë edhe në prokurimet e kaluara, Zogu ju përgjigj me “Po” dhe shtoi që ka qenë një kontratë më kohëzgjatje të shkurtë e cila nuk është realizuar.
Eksperti shqyrtues, Basri Fazliu, deklaroi që PK nuk mund të thirret në atë ka ndodh një gabim në pikën 4, pasi në shkresat e lëndës, zyra e prokurimit e PK ka kërkuar sqarime me 16.10.2017 nga njësia kërkuese, pikërisht për këtë pikë. Kjo dëshmon se PK ka qenë në dijeni pasi në përgjigjen e dhënë nga njësia kërkuese thuhet “gjatë implementimit të kontratës duhet të përdoret njëra nga tri metodat e cekura në specifikimin teknik”. Raporti i ekspertizës jep rekomandim që paneli të aprovojë ankesën e Flomed dhe ta kthejë lëndën në rivlerësim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here